Për Spiro Papaspiron ngjyra ka vlera të mëdha. Metaksotipitë e tij nyjëzohen me forma gjeometrike dhe sipërfaqe me ngjyrë të pastër. Është një artist i detajit, i kujdesit të veçantë, i përpunimit të rreptë të idesë fillestare, i provave të shumta dhe projekteve të pafundme. Vepra e tij lyp spektatorë të durueshëm dhe sentimentalë: ata që nuk do kënaqen me përshtypjen e parë, por që do kërkojnë ngacmimet që nuk dallohen me të parë një herë, ekuilibrat dhe harmoninë që janë aty por nuk këlthasin, eksperimentet aplikative që, megjithëse shprehen qartësisht, nuk ofrohen për një kontakt të shpejtë dhe indiferent.

 

Në pikturë, në artin tradicional të dy dimensioneve, iluzioni i realitetit ka pas pasur përherë rendësi të veçantë. Në mënyrë empirike ose duke u bazuar në parimet e matematikës, piktorët në shekuj paraqitnin botën ashtu siç e shikonin ose siç i konceptonin nëpërmjet kulturës vizuale ose perspektives “atmosferike”. Piktura ishte një rikrijim i realitetit. Në anën tjetër arti modern, ja dedikoi ngjyrës dhe jo hapësirës, rolin – gati ekzistencialist – mbizotërues në praktikën e pikturës.

 

Pos kësaj aplikacionet abstrakte shprehëse të shekullit të njëzetë, e shkëputën në mënyrë përfundimtare pikturën nga detyrimi i prezantimit të një teme të kapshme, sepse prezantoi mundësinë e paraqitjes së një skene apo të një historie që përshkruhet në një burim filologjik. Në gjysmën e dytë të shekullit sipërfaqe të tëra të lyera me një ngjyrë të vetme, pa përzierje, pa gradualitet koloriti, pa pretendimin, pa ju referuar realitetit, pa pretenduar të riprodhojë hapësirën tre dimensionale.

 

Papaspirou, e studioi këtë zhvillim të ecurisë historike të pikturës, siç edhe shumë artistë të tjerë të brezit të tij, që tashmë pranojnë pa asnjë lloj pikëpyetjeje dhe pa i perceptuar si hap novator në artin e tyre sipërfaqet monokromë dhe abstraksionin gjeometrik. Interesi në rastin e tij qëndron në faktin se tradita në fjalë shpërfaqet në veprën e tij e përpunuar nëpërmjet eksperiencës kërkimore personale.

 

Në metaksotipitë e Papaspiros format gjeometrike gëlojnë nga ngjyrat e pastra dhe sipërfaqja e aplikuar fiton dinamikë dhe intensitet nëpërmjet organizimit të trupave dhe përzgjedhjes së kujdesshme të tonëve. Asnjë iluzion nuk fshihet, asnjë tematikë që të kujton përfshirjen e botës materiale nëpërmjet shikimit nuk ekziston për të krijuar paralelizëm me realitetin. Megjithatë, autori shket nga kërkesat e abstraksionit monokromatik. Shfrytëzon metoda të shumanshme për të unifikuar hapësirën reale në sipërfaqet e tij ose për të krijuar hapësira nëpërmjet sipërfaqes.

 

Përsëritja e formave me tone të ndryshme për secilin, por ne të njëjtën ngjyrë, nëpërmjet një përzgjedhjeje të studiuar, strukturojnë sipërfaqe aplikative që ftojnë spektatorin të hulumtojë përmasat e hapësirës që krijohet nga prezenca ose dhe nga mos prezenca e tyre. Boshllëku, e bardha, nuk përbën vetëm idenë e sipërfaqes dy dimensionale ekzistuese, por edhe elementin strukturor të pejsazhit. Me të njëjtën mënyrë funksionojnë boshllëqet, në kundërshti me elementet tërësorë, në skulpturën moderne. Rasterizuar me tone të errëta ose në akrilikë metalike befasuese, ato krijojnë tensionin në sipërfaqet pllakate të ngjyrave.

 

Printimi në pleksiglas krijon një kusht të ndryshëm të përfshirjes së perceptimit dhe vëzhgimit. Sipërfaqet e errëta të ngjyrosura në materialin transparent, vendosja e veprës në distancë nga muri nëpërmjet volumit të kornizave ose printimi në sipërfaqe të në pas njëshme dhe ekspozimi i tyre në hapësirë, u ofrojnë veprave një dinamikë tjetër. Hapësira përfshihet falë hijes (dhe jo hijes fotografike, njohjes tipike të pikturës tradicionale) që krijohet sipas kushteve të ndriçimit rastësor, por edhe nga këndi i vëzhgimit. Format dy dimensionale fitojnë volum, të përditshëm dhe befasues, por produkt real të shikimit. Deri sa edhe një katror monokrom në një kompozim simetrik, i ndihmuar nga thellimi i kornizimit që krijohet vetvetiu, sajon falë ndriçimit katrorë dhe forma të tjera më të vogla të paparashikuara në dritëhijen natyrale në hapësirën reale.

 

Për gjithë këto arsye, për këto detaje të rëndësishme, vepra e Papaspiros pretendon një vëzhgim të kujdesshëm. Për të zbuluar sintezat eksperimentale të krijuesit, për të nxjerrë në pah dimensionin rastësor të ravijëzimit të hapësirës tre dimensionale në atë dy dimensionale, për të parë si komunikon sipërfaqja me thellësinë, jo medoemos e paramenduar në çdo detaj, por si rezultat i një përpunimi skolastik dhe të kompletuar.

Janinë më 18 nëntor 2018

Areti Adhamopulou,

Pedagoge plotësuese e Historisë së Artit

Shkolla e Arteve të Bukura,

Universiteti i Janinës